O nënë… – Lumturi Lume Plaku
O nënë…
Këtu s’mungon asgjë, gjënden me tonelat,
mëndafsh, të pambukta, deve, ç’mban bota e tërë,
veshje të markave të njofura, me famë,
ka dhe me flori të qëndisura, gërmë më gërmë…
Për mua mbi të gjitha është bluza, që ti më thurre,
se ka shpirtin e zemrën, gjithë mundin tënd
ka aromën e atyre duarve, të zhubravitura prej punëve,
më të bukurat duar e kam shumë mall, o nënë.
Vlera e atyre duarve, më shpie në kohët larg,
kur s’kishim veshje e asgjë për të ngrënë
e ti e rropatur e ktheje në ditë edhe natën,
se vuajtjet tona të fyshknin zemrën, o nënë.
Kur, këtu larg mbyll ditën, që më lë pa frymë,
i mësuar prej teje, bëj diçka për të ngrënë
sikur lodhjen ma heq dikush me magji,
kur vesh pupat e tua, që më ngrohin këmbët, o nënë.
Më duket vetja ai vogëlushi i atëhershëm,
kur në të ftohtë e acar, dridheshim pa zjarr,
ti thaje në kurmin tënd, ndrresat e të gjithëve,
na ngrohje me puthje e me frymën tënde, o nënë.
Lumturi Lume Plaku