Përtej panoramës – Seti Pezaku Vladi
Përtej panoramës
Sot,
qyteti u zgjua më herët
nga shkreptima e ëndrrës së lodhur.
Me syrin mëngjes shprese
veshur me sumbulla sythesh pranvere,
afshi i erës flokët i derdhi
dhe u nis drejt kutisë filiz blerimesh.
Këtë herë
dhe horoskopi kish premtuar
mugullime agimesh.
Fjalimet e ndara nëpër blana ngjyrash
bënin premtime argjendore,
vrapime imagjinare.
Përvëlojnë këngët,
digjen vallet,
fluturojnë fjongo buzëqeshjesh të trembura…
Shtatë herë shpërndau ding-dangun sahati,
qyteti u puth me kutinë,
ngriti dorën dhe aty hodhi zemrën e vet.
U ngazëllye kutia
ulur në prehër të flamurit!
Përsëri breshëri ding-dangu
dhe mbrëmja ra.
Territ të natës
aktruan hijet pa hënë spektaklin e dramës…
Ashtu si dje,
karvane zogjsh shtegtarë nisën fluturimin
nën një qiell dhemshurie…!
Deti përplasi dufin mbi shkëmb!
@seti pezaku vladi
15/03/2021