August 3, 2024

Dy takime me Prishtinën – Martin Çuni

Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

Sot u bënë 39 vjet nga nata e parë në Burgun e SPB të Shkupit. (m.ç.)
Dy takime me prishtinën

(Ardhja për gjykimin e dytë për shkak të thyerjes së Burgut të Prishtinës me Muhamer Shabanin, ai u largua, mua më zunë)

Tash po e shoh qytetin tim nëpër gishtërinj,
shumë vjet e ditë u bënë, dhe një herë arrij.
Nuk di kur do të takohem me rrugët tua valore,
lumin nuk do ta shoh më, po vetëm lagjet pupëlore.
Tregjet namëmëdha dhe plepat shtatgjatë,
me korbat e zëshëm, përreth duke krrokatë!
Lulëkuqet në mes sheshit të endjes së madhe,
kur do t´i shoh vallë çuna e çupa shtojzovalle?
Nuk jam me rriten, por do t´i shoh si filizë,
më nuk do të endem në shetitoren e rinisë.
S´do t´ua ndiej aromën luleve të vrrinit,
s`di a do të pushoj më nën hije të blinit?

Ja po arrij tash për ta shtyrë takimin,
s´më hiqet dot nga zemra për ju përmallimi.
Pezmi ka zënë rrënjë dhe sa po trazohet,
shpirti dhe zemra nuk më varfërohen.
Takimi mu në zemër të kujtimeve të rinisë,
duke u përpëlitur si qepallat prej hutisë!

Shpatë e Demokleut me terezi të vjetra,
s´di a mund të ngadhnjejë ndojherë e vërteta?
Kështu si jemi, çfrarë të të them nuk e di,
do të ishte më lehtë të mos vije bile ti!
Të na takohen shikimet, zemrat të na thyhen,
t´na përflaken kujtimet, afria t´mos na shlyhet.
Kur krah për krahu klanonim pranë shtëpisë së parë,
të ndërtuar nga djersa e popullit “vullnetar”.

Shkallët e ngurta të kohës ulen e lartësohen,
me jetërat e njerëzve bëjnë çejf e argëtohen!
E pashë lumin grrellë herën e kaluar,
si shpirti i armikut tonë të përbetuar,
por tash nuk të shoh në zemër toke shpuar.
Nuk po shoh asgjë nëpër këto grrila,
vetëm dritare, ballkone dhe disa lisa.
A do të shoh dikë si çupa çapkëne,
me flokët kaçurrela që e njihja dikurë.
Ajo nuk e ka ndier se pranë saj në rrugë,
kalon një i njohur që tash është i huaj.
Ecte pa brenga, flokët i farfuriste,
valët e moshës së bardhë i nanuriste.

Në rrugëkryqin në mes të qytetit, vetëm,
përpara e kisha sheshin e Universitetit.
Më përfytyrohet momenti i qëndrimit,
në autoburg blu duke pritur gjykimin!
Nëpër vrima shikoja rrugën karshi,
a thua do t´i shihja të dashurit e mi?

Sa herë kam kaluar përngutë atypari,
më kanë sjellur aty zemrat si acari:
që të mud të shoh, për të mos më parë!
Rast më të çuditshëm nuk e di a ka,
të jem e të mos jem se si më ra!?
I njejti Park me të njejtat figura,
me drunj zbukurues dhe me ca statuja,
si gjakimet tona të pa përfunduara!
Ndërtesa e thjeshtë e Universitetit ndriste,
me rreze të bardha, simbol dije e rrite.
Më tutje dukeshin sytë e Bibliotekës,
të qeleshe bardhës , krenari e qytetit.
E shoh Pallatin*, kujtimet ku më ngujohen,
që kurrë më në jetë nuk do të harrohen.
Është një dritare në katin e gjashtë,
ku pata shumë ëndërra dhe nuk pata fat!
Armiku gërryen si krimbi kokëzi,
po fundi do t´i vij njëherë edhe atij.

Ky rrugëkryq seç ma kujton orën,
momentin e fundit dikurë të një kohe.
Aty u ndava me një pjesë të jetës,
në rrugën e Pallatit të Universitetit.
Sa pata dëshirë të shoh ndonjë fytyrë,
për mua të dashur dhe të dlirë!
Jo nuk kalon dot askush atypari,
nga ata që donte të m´i shohë xhani!
Kalonin fytyra të reja e të vjetra,
por të njohur kund asnjë s´e gjata!
Athua vallë njerëzit paskan ndërruar,
apo ndoshta fare i paskam harruar.
Jo, s´mund të ndodhë diçka e tillë,
por nuk kam fat, këtë e di mirë!
Dëgjoja ca zëra pranë semaforit,
nxitonin njerëzit atë ditë të shtatorit.
E si më dukeshin të gjithë disi ndryshe,
janë ç´mësuar sytë nga ato rrugëkryqe!
Aty qëndrova gjatë me askë pa folur,
dhe do të shikoja edhe shumë orë,
vetëm që të shihja dikë kah kalon,
mallin e të kaluarës që të ma shkon!

Fati nuk e do, m´u desht që të iki,
erdha si hije kujtimet që t´i çkyqi.
Lamtumirë rrugëkryq i qytetit tim të mirë,
do të qëndroja ende me shumë dëshirë,
po s´jam në duart e vetes time,
ju lë për ca çaste se më pret gjykimi!

Shoku i rinisë më shikoi, u takuam ballë për ballë,*
i hutuar së tepërmi s´më tha gjykim të mbarë!
Jo shoko, s´mundesh e s´të shkoi ndërmend,
s´e pritje atë takim në të tillë vend!
Pse nuk kemi lindur në kohë më të mirë,
kur lulëzojnë blinjtë me aromë të dlirë.
E shikova rrugën, pak kishte ndërruar,
ca shtëpi të reja me çatitë gufuar.
Asnjë fytyrë të njohur s´mund ta shoh,
sa kanë ndërruar , ka kaluar shumë kohë.
Tregu gumëzhinte, njerëzit varg e vi,
me zemër i urova, u thashë lamtumirë!

Të kisha pasë një pëllumb lajmëtar të mirë,
dhe të m´i ftojë pranë të dashurit e mi!
Ju kalova pranë dyerve të mirënjohura,
s´u hapën për mua, dhomat s´qenë të ngrohura!
Nuk qenë mikpritëse për herën e dytë,
atëherë kur dola dhe tash duke ikë!
Po ta dinin fëmijët do të dilnin vrap,
të ma bënin me dorë që të ndalem pak.
T´i marr në krahë dhe t´i përqafoj,
ato duar të vogëla t´ua ledhatoj!

Sytë e përpinë syprinën, në qytet më mbetën,
shkolla ma kujtoi Eminin e rinia Ganimeten*!
Për çka e flijuan jetën në lulen e rinisë,
që ta njomin këtë Tokë, ferra më t´mos nisë!
Dielli t´i ngrohë gjithkah lulet e trëdofilat,
të lirë të jenë gjithnjë të këndojnë bilbilat.
Kurorë në kodër t´qytetit me emra të njohur,
dëshmorë të papërkulur u flijuan për popull.
Hap i tyre s´ishte i madh as gëzimi,
s´u mbulua gremina, nuk u bë kushtrimi!

Burgu i Nishit
23 shtator 1988

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com