August 3, 2024
Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

Zë qytetërimit
(30 mijë pleqëve, grave e fëmijëve të kampit “Shatila” në Liban)

Na jepni pak ujë,
na dërgoni pak bukë!
Fëmijët na u bënë shkrumb.

Vëllezërit na kanë rrethuar,
plumba na hedhin për mëngjes,
gjyle na hedhin për darkë!
Plumba ditën, gjyle natën,
bajonetat na presin për rreth.

A keni ndjenja të një kombi?
Në emër të cilës liri,
në emër të cilës ideologji,
fëmijët na i bëni shkrumb e hi?
Shekulli njëzet,
kush t`i pajtojë fëmijët tanë në djep?

Djemtë tanë luftojnë
të etshëm në vapë,
për një oazë jete
në këtë tokë të thatë.

Duam ujin tonë – burim
jetë me dritë e gëzim!
Qytetërim!
Aeroplanët, fregatat e tanket,
le të mbrojnë jetën n`agim,
le të flakërojnë për gëzim!

Ju thërras o njerëz,
në emër të dashurisë,
shporrini djajtë nga zemra,
për hir të Perendisë!

Shatila e gjakosur
Gernikë e këtij shekulli,
Qytetërim i lirë
barbarinë e mesjetës
mbylleni në grila hekuri!

Burgu i Nishit, shkurt 1987
“Jetë e furtunë”, Prishtinë, 2002

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com