Lotim shekujsh – Kasam Shaqirvela
Poezi nga: Kasam ShAQIRVELA
Lotim shekujsh
Loti i ngrirë
u var si akulli
në strehën lakuar
të shtëpisë së vjetër
buzëqeshja u ndërpre
si këputja e petaleve
të lulëkuqes bozhure
filizat u prenë
në brishtësinë e tyre
të gjethimit…
oxhaqet mbetën
në tymin e
vatrës së fikur
po, kopshti ynë i ka
të gjitha llojet e luleve
që janë më pranverë
se vetë stina e pranverës
dhe të gjitha pemët
me ngjyrat joshëse
të luleve të tyre
të posaçelura
në frutim…,që
ua kalojnë shtatë ylbereve
të qiellit lotmadh blu,
me aromën e dashurisë
ngjizet kënga ime
për Kopshtin e Edenit
peng i Mollës së Ndaluar
pre e ëndrrës së paëndërruar
të somnabulit mijëvjeçar
dëshmi i emrit shqiptar
ti, fort mbaji frerët
e shpërgajve..
të zemërimit babilon
prej perëndish
dhe, si dështimi
ashtu dhe deliri
nuk janë për mik,
as armikut s’i duhen
thembrat e Akilit,
o laji në ujë të bekuar
o veshu çizme hekuri
që ku të shkelin
të mos mbijë bar
të mos ketë për farë
e thatë të ngelet toka,
kuajt e harbuar të Trojës
o shaloji për log të mejdanit
o lidhi në grazhdin e ferrit
me strajcën e tradhëtisë
mbushur plot me tagji
të mblaçitin në shkumëzim
se nuk hingëllojnë dot
pastaj…
le të vijë Diogjeni
në pikë dreke
le të kërkojë njeri
me llampën e ndezur
apo me qiri.