Jetoje jetën – Muça Vladimir
Jetoje jetën
Jetën s’po di
Ku ta jetoj më mirë!…
Mos është ky tingull çekiçi
Tingulli punëdhënës i tim Eti?…
Ku ta gjej ate tingull kujtimi,
Ta gëdhend me daltën e shpirtit,
E të formoj dëshirën e amanetit
Dëshirave tona mbytur nga mashtrimi.
I papunë, me pamje manekini
Pritjen e dëshirës e bëra mikun tim;
Ngadhnjimi briste mbi vuajtjet spartane,
Të vërtetat mbi kurme jete falte;
E unë, mes udhëkryqesh
Zgjidhja ëndërrën mes tollovisë mjerane.
Tingulli i çekiçit të tim Eti
Më mbajti zgjuar,
Mes botës rreale e surreale.
Më rëndoi mbi supe Gurë Pendimi,
Më shumë se pesha e këtyre malëve.
Kokën ngre mbi banderolat,
Eci rrugës mes makthëve e mashtrimëve verbuar,
Ëndërroj tingullin e çekiçit gurëgdhëndës
Vitëve abstrakte,keqas arnuar.
Hapin e politikanit dhe hapin e puntorit
E shtroj në rrugëtimin e një shprese të vonuar;
Duke ecur drejt një mëngjesi ngjyrëallë,
Me shpirtin e një dashurie
Pa dhimbje e skamje.
Oh dëshirat e mija të gjora!
Gjakuar mes ngjyrash partiake!…
Ngopur me kënaqësi prostitutash,
Mes shalëve të një fushate,
Rruposur në oreksin e një balene,
Me ekstremet e vjetra
Të një orgazme.
Nga vëllimi”Me zërin e shpirtit”