Copëza shpirti – Kasam Shaqirvela
Poezi nga: Kasam ShAQIRVELA
**
COPËZA SHPIRTI
(lirikë pleqërishte)
*
Mendimi nga pas seç më ndjek
dhe kujtimet me mua ulen pranë
herë si në furrë po më pjek
herë më vjen flladi si n’verandë.
*
Dhe, dashurinë në rini
ma udhëhiqte dëshira
nga ndjenja sublime
ndjenja fort të dëlira
rrugës djalërishte…
po m’i printe guximi
nga bota intime
për jetën time.
*
Kurse tani…
në këtë moshë që jam
ta quaj të pjekur..s’e di
apo t’i them dhe pleqëri
dashuria më udhëhiqet
nga mendimi…
ndërkaq udhës ngadalë,
kah perëndon Dielli,
m’i prinë urtësia
vranësirave prej qielli.
*
Edhe atëbotë edhe tani
tek të dyja…
ai indi lidhës
mes zemrës e shpirtit
është, po ajo, dashuria
por vetëm në koncept
qëndron dallimi…
e para ishte realitet
i ëmbël apo i hidhur
herë në fluturim qiellit
e herë tokës me të dridhur
por ama, kapërdihej
ndërsa tani…
peneli i dshurisë
ka ngjyra flirtimi
ndizet e fiket
si llambadar peshkimi
dhe po përzihet
me tablo përhitur
ikur me kohën
që s’i vjen kthimi.