Deti i lotëve – Dhimiter Nica
Deti i lotëve.
Kur bie shi mbi Dajt e Tiranë,
nuk janë retë që nxijnë e sterrojnë,
janë sytë e kurbetllinjëve që qajnë,
janë rënkimet e detit që gjëmojnë.
Janë ambasadat e ngjeshura,
anijet e tejngopura që rënkojnë,
janë trupat dhe kockat e tretura,
janë nënat e rreshkura që lotojnë…
Disa nga nënat e mira mungojnë…
Duke pritur djemtë përtej pritjes,
duke duruar dhimbjet përtej dhimbjes,
nënat pak nga pak vazhdojnë të digjen
e një nga një si kandilat fiken…
Dhe lotët rrjedhin e nuk shterojnë,
mbi Dajt, mbi Korab e Tomorr,
matanë detrave kurbetllinjtë lotojnë
dhe Detin e Lotëve,me lot e formojnë.
Është det i kthjellët, det i pastër,
që del prej qerpikut si vesa prej lules,
që rrjedh pa ndalim si Syri i Kaltër,
ku zemra rënkon e nga trupi shkulet…
Zemrat pa trupin e sytë pa kokën,
dalin nga zgavrat e bredhin nëpër botë,
mos e lëndoni më tepër, o njerëz tokën,
mos lejoni të formojnë dete këta lot!
Marë nga Të gjitha lulet kanë emrin tënd…Muzgu, Tiranë, redaktimi dhe parathënia nga i paharruari Vasil Tabaku…!
Dhimiter Nica