Kosova e Boletinëve – Seti Pezaku Vladi
Kosova e Boletinëve
Në agun e ditës erëmuar me zymbyla
kur ditëlindja jote vishet kuq e zi,
po fluturoj mbi këngën tënde, Kosovë.
Fytyrë rreshkura me zemër stralli
me një qiell natë ngarkuar mbi supe,
ece një shekull me plagën fashuar,
një shekull elegji epike,
vullkan i këndellur!
Me lotin tënd, Kosovë
bluajtën mullinjtë e Evropës,
me gjakun tënd, Kosovë
trokiste gotat marrëzia.
Nëna jote,
lidhur këmbë e duar
rënkonte plagët e zemrës tënde.
Kur dhëmbët e bishës ashtit tu ngulën
vullkani dufit kraterin shpërtheu,
mbi malin e dhimbjes lëshove zënë:
Zgjohu Kosovë!
Të presin malet e Sharrit që janë tuat,
të pret Prizreni i derdhur mbi troje,
të pret Mitrovica xhamadan djegur,
Trepçja e Ujëmani, rrahje zemre,
e gjithë Kosova të pret Kosovë, se është e jotja!
askush s’i zapton ato veç teje,
se shterrojnë dy Drinat,
ndizen dy detet.
Dhe u ngrite Kosovë e boletinëve,
fidanishte e filizave lulëkuqe,
u shkulën dhe shqipet nga qemerët e kullave
dhe pushka u bë top
dhe topi u bë këngë lirie
për të cilën u dogje kometë.
@seti pezaku vladi
12/04/2021