Në kërkim të dritës – Rrahim Billa
Në kërkim të dritës
Drita e urtësisë , gjithnjë më ka pëlqyer.
Se truri vdes ngadalë , kur nuk e ke ushqyer.
Shpesh në udhëkryqe , dhe mundet të gaboja.
N’humnerat e askundit , ndoshta do përfundoja.
S’më ndahej errësira…parfumosur , stolisur.
Ndërsa dritë shihja , majë malesh të thepisur.
Në djep falco…ëndrrash , errësira të përkund.
Në rrugën pa mundime , një askushi je në fund.
Errësira më flet: – Trurin s’ke përse e vret.
Nëse do jesh me mua , do ta ndjesh veten si mbret.
Do kesh para me thasë , dhe famë e pasuri.
Një jetë si në parajsë , jeton si zotëri.
Por drita majë malesh , më tërheq si një magnet.
Me shkëlqim mahnitës e me magjinë e vet.
Pse zgjodha rrugën e vështirë , nuk jam penduar.
Njeriu…s’ka një jetë të dytë , për ta jetuar.
Gjatë rrugës…pata vuajtje e plot mundime.
Ama kthim mbrapa , s’ka: – I thoja vetes time.
Nga dallgët e jetës , plagë më janë shkaktuar.
Por që të ndryshoj kursin , kurrë s’kam pranuar.
Gëzime e lumturi , kjo jetë më fali plot.
Zhgënjime kam provuar , aq sa jam mbytur në lot.
Në kërkim të dritës , nuk ndalem…le të tretem.
Se udhëtar i askundit , nuk dua të mbetem.
21 mars 2021
Rrahim Billa / Albania
(Të gjitha të drejtat e autorit
janë të rezervuara).