Poezi *Tanka* – Seti Pezaku Vladi
Poezi Tanka
(Nga libri “BLIC”)
Kapërceva
Një pyll të trembur hijesh,
Duart i futa
Në xhepat e natës.
Nxorra yje qielli.
Bindjen e kam rrënjë,
Vlagë e saj më rriti,
Arsyes rrugë i hap,
Dallgës s’i largohem,
Me plumbin martohem.
Shtegtojmë dhimbshëm
Nëpër botë
Me fytyra prej loti.
Çdo ditë
Korrim vetveten.
Gjithnjë e tradhëtoj gjumin;
Gjurmët e lodhjes i fsheh
Ndër dhëmbët e natës.
Sa larg që je,
Më larg se dielli!
Pëlhurë Penelope
Jeta jonë,
Thur e shthur…
Uliksa
Mbetëm deteve.
Jemi prej syrit braktisur,
Prej muri të rrëzuar,
Prej brumi ardhur keqas
Mbi shputën e tokës
Mjekërrbardhë.
Rinuat
Kur rinia nuk rinonte,
U plakët
Kur plakja vononte.
Dy nyje lidh në zemër.
Na plagosi kurbeti.
Shi që bie nën shi.
Prej vitesh,
Strehëve të botës
Strehuam lotin nën shi.
Fjala gojës
Më e madhja pasuri,
Melhem plagës vënë,
Matës vargut pashkruar,
Çelës dhimbjes pathënë.
Skamja, motra e madhe,
Kamja, motra e skamjes,
Unë e birsuar.
S’di kë të dua,
Me të dyja jam mësuar.
Jeta në eklips.
Zemërimi pëlcet.
Karvanet po ikin…
Zogjtë korrin grurin.
Toka thërret.
Mërgimtar!
Konop me shira vjeshte,
Shelg vajtues akull ngrin,
Degë thyer maja kreshte,
Torbën bosh mbi shpinë.
@seti pezaku vladi
20/05/2021