Blerim – Muça Vladimir
Blerim
Mbet bora mbi dheun e vluar
Nën hijen e shkarpët si një medalion,
Nën bisqet e zgjuar dy të dashuruar
Frymojnë trëndafilë mbi botën që agon.
Prore i ndjek një rreze gëzimi
Si në krahët e një enigme,
Lëngjet shpërthejnë nëpër bisqe
Si duf i lodhur në udhëtime.
Në pllagmë dheu jeshilon vjollca
Me ngjyrë e zë si të morfeut,
E sjellë në botë nga nëntoka
Pjellën e dashur, të bukurën e dheut.
Qetaz blerojnë dhe dy buzë
Me lëngje shpirti, në stinën e vluar,
Gjithçka nën pemë, si një nokturn
Vjen si një ëndërr e fluruar.
NATA E TË PAPUNËVE
Mbi trotuar,
Qetas rrinë matrapikët,
Vagëllimthi bie nata.
Bri tyre si murgj
Heshtin të papunët,
Kruspullosur në shpirt,
Si gjithnjë,
Sikur kjo ditë
Që s’është më.
HIJA E VENDLINDJES
Hija e vendlindjes
Është vetja ime,
Çfaqet e zhduket
Si mirazh i ngohtë,
Në shpirt derdhur
Në sekuenca filmike,
Me dalgët e lumit jetësor.
KUR NË SYTË E MI
Kur në sytë e mi dielli të perendojë,
Tutje horizontit
Të vallzojnë hijet e vdekjes,
Me rrëmujën fëminore
Dua grindja të më lodrojë,
E marrëveshja e fundit
Në sytë e një fëmije
Të mbetet.
Nga vëllimi “Zërat e shpirtit”