E dashura e Diellit – Seti Pezaku Vladi
E dashura e Diellit
Jam e sinqertë me ty,
Dielli im,
Edhe kur rrezja jote syrin ma picërron,
I zjarrtë je
Dhe kështu i ngrohtë më duhesh
Të më pushtosh etshëm
Që herët në agim.
Jam e sinqertë me ty,
Dielli im,
Më i shtrenjti yll i gjithësisë,
Le të lemë një pikë takimi të dy,
Veç më ruaj,
Mos më djeg
Kur të puthem me ty!
Ngrohtësia jote më rrëshqet nëpër trup,
Rreth saj pjergull bëhem,
Rëra e mornicave më futet nën lëkurë
Edhe atëherë kur nis e më largon,
Pastaj zë e kthehesh në zambak të kuq,
Mbi përgjumjen e virgjër të detit
Ulesh e pushon.
Ngrohtësinë tënde ma lër peng
Deri nesër në agim
Dhe në mos ardhsh,
Retë e zeza rrugën ta kenë zënë,
Shaluar në kurriz të erës
Bregut qiellit do të ngjitem,
Në copëza t’i shqyej retë qorre të djersitura,
Përsëri ne të dy
Ngrohtësi e pjergull do të bëhemi.
@seti pezaku vladi