August 5, 2024

M’i jepni… – Kasam Shaqirvela

Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

poezi nga: Kasam Shaqirvela

*
M’i jepni…
(tapitë e Atit)

Nuk po ju kërkoj atë që s’bëhet…
As të më plotësohen dëshirat s’dua
Por, veç malli i atdheut të më zhbëhet
Të ndalet loti që rrjedh si krua
Që më gërryen nga brenda mua
Edhe këtu në të hidhurin mërgim
Edhe atje në të ëmblin, Atdheun tim.

Më jepni krahë shqiponje…
Të fluturojë përmbi Atdhe
Të ndjejë aromë prej Shqiptarie
Ta mati me sy çdo pëllëmbë dhe.

Ma jepni kohën në kalim
Dhe fuqinë si Herkuli…
Dhimbjen hark përmbi krye
Popullit tim sadopak t’ia uli.

Ma hapni udhën, m’i jepni tapitë
E trojeve të Atit përtej Medvegjës
Atje ku gjyshërit e mi i lanë shtëpitë
Gardhin arbërisht t’ia vë mezhdës.

Më jepni vetëm një mundësi
Për ardhmërinë e brezit të ri
Emigrimit hapin t’ia ndali
Të mos e shoh si qanë më mali
Për mall vajze e djali…

Ma ktheni djepin e Nënës Loke
Ëndrash të zgjohem në Çamëri…
Bonjaken e kësaj toke…
Të çmallem lagjeve të Artës
Si dikur në timen Arbëri.

Dhe shumë si kjo të lëna pas dore
Mbetur në mëshirën e fatit të keq
Prej thurje planesh djallëzore
Ç’na preu në besë i mallkuari dreq.
Ç‘na e ndau lëmën në shtatë oborre..!

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com