Rruga e jonë – Muça Vladimir
Rruga e jonë
Miku im
S’po flas për rrugën që bëmë,
Ku hera herës shkamë
Si në baltovinë;
Dhe pse e njihnim
Udhën me pëllëmbë!…
Ndoshta u rrëzuam
Në kapërcyell mashtrimi,
Kur prisnim të ishim me fat,
Për të keqen tonë u err vështrimi,
E shtigjet tona ishin akoma larg.
Shenjat e rrugës ishin dredhi,
Ku zjarret digjnin vërtetsitë,
Me dogma e lugetër në përkatësi,
Nga kohë e ndritur e fëmijërisë.
Në dekorin e perendimit imagjinar,
Zëra tim-tame në mëndje papushim,
Nën dritë qirijsh shkruanim fjalë të artë,
Kimerave tona u jepnim kuptim.
Ecëm e do ecim miku im,
Kësaj toke amë ti falim pak gëzim.
1998
PISHA DHE POEZIA
Kurrë si një pishë
S’e pashë poezinë,
Dhe pse ajo është pjellë e kokës.
Pisha dritë dha që në lashtësi,
Mundi errësirën në sytë e botës.
Pisha kryet i mban kah Zoti,
Në klorofil ringjall dritën;
Por poezia është pikë loti,
Zoti për te shpiku karizmën.
NË RROBEN E TERRIT
Në të shumti
Në terr bëjmë dashuri,
Se duam të fshehim mëkatin.
Por na pëlqen
Të zbulojmë lakuriqsinë,
E të bubrrojm
Çdo skutë të shtatit.