Ëndrra e jetës – Rrahim Billa
Ëndrra e jetës
Ëndrra…që unë e dinja të vrarë.
Pa zbardhur drita , vjen e më bën zë.
” Zgjohu. Nisu për udhë , sa më parë.
E unë , me ty do të jem…përgjithnjë “.
Fshiva sytë…a mos vallë ëndërr shoh?
Apo është ëndrra që kisha në jetë!
Isha zgjuar…ëndrrën që më flet e njoh.
Prej drite të kaltër , ëngjëll me fletë.
E shtrenjta ëndërr…të dinja të vrarë.
Deri në këtë çast të shenjtëruar.
Për ty lotët , ende s’më janë tharë.
I plagosur isha , në shpirt shkrumbuar.
Tani jam gati…me ty të shkoj kudo.
Në udhë të largëta , ndaç ndër yje.
Shpirtin ta kam falur ty , nëse e do.
Bashkë në çdo hap e shteg mirësie.
Lodhjen nuk e ndjej , shpirtin të zjarrtë.
Zemrën si çeliku , kurrësesi nuk jepet.
Je ëndrra e jetës , je ëndrra e artë.
Dua veç tek ti , shpirti të më prehet.
Ëndrra më nuk priti , në krahët e saj.
Më mori në çast , nisëm fluturimin.
Në botën e madhe , pa anë e pa skaj.
Nuk gjej dot fjalë , që të shpreh gëzimin.
Qershor 2010
Rrahim Billa / Albania
Shk. nga lib. “Thërrime diamanti”