Të vish – Skender Berisha

Të vish
Do të thotë të përmbysësh mllefin
ta kapërcesh atë det të trazuar
të thesh gjerdhet me therra
t’i dërmosh largësitë
ata armiqtë e tu
miqtë e harresës
të vish do të thotë
të dashurosh ende
të të dhemb në fund të shpirtit
të rikthehesh prej rëndimit vreror
pastaj dhimbshëm të fshash
për barin mbi varre
shtëpitë e myshkëzuara
për mollët që rrokullisen shpatinës
e nuk ka kush t’i hajë
të vish o të vish
do të thotë të përqafesh me lisat
të të rinjohë Drini
të ta këndojë këngën e harruar
për heronjtë që nuk munguan
të zgjohesh në mëngjes
dhe t’i shohësh malet që përqafen me detin
të vish e të ndiesh erën e grurit të korrur
zallit atë turrecin e moçëm
të të shohë Tina që e harrove
të ofshajë dhe t’mos e thotë
shpirtit ç’i djeg
që atëherë
që atëherë…
7 korrik 2018,Prizren