August 5, 2024

Mos u habit lexues i dashur – Rrahim Billa

Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

Mos u habit lexues i dashur

Mos u habit lexues i dashur!
Di të lexosh ti ?!…
Patjetër ke soditur qiellin…
Nuk sheh të shkruara…poezi ?!…
Po drita me errësirën…
Lojë bëjnë me ne të dy ?…
Apo sipas ligjit të përjetshëm…
Lëvizje planetesh , në përjetësi.

Kjo natë plot shkëlqim…
Aq bukur , ta përshkruaj…nuk di.
Humbas , tretem në eter…
Ndjek një yll , marr një poezi.
Po detin…e ke parë ?…
Nuk lexove në të poezi ?!…
Valët , vargje të një kënge…
Që deti e këndon në përjetësi.

Udhëtoj ndër dete e oqeane…
Zhytem ndonjëherë në thellësi.
Prej andej , patjetër do shkëpus…
Ndonjë perlë , a ndonjë poezi.
Fushat të mbjella me grurë…
Kallinjtë të pjekur…flori.
Dallgëzimet , strofa me rimë…
A mundesh t’i lexosh ti ?

Ti qesh me mua:
– Jo po dhe për gurët , bëhen poezi.
– Po pse të mos bëhen ?…
Kur që nga lashtësia , bartin histori.
Keni dëgjuar gjethe të reja…
Si fëshfërijnë ?…
Shpirtin ta mbushin me gaz…
E të përtërijnë.

Gjethet…dikur fëshfërinin…
Ranë , u kalbën përposh.
Poezi e vjetër , sa vetë toka…
Di ta lexosh ?…
Gurgullimën e një rrëkeze uji…
A e dëgjuat ?…
Përmes gjethnajës së blertë…
Pyjeve kur shkuat.
Rrëkeza…gjethnaja…gurgullima
Poezi që struket tinëzisht.
Jetoj…shkruaj poezi…
Nëpër këngë le të tretem
Tërësisht.

Qershor 2010
Rrahim Billa / Albania
Shk.nga lib.”Thërrime diamanti”

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com