August 5, 2024
Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

Engjëll i nëmur

Kam puthur vetëm buzët tua
të zjarrta të ftohta
të kuqe të kafta

e do buzë të tjera janë djegur
vetëm për një puthje të afshët prej cubi

kam puthur vetëm sytë e tu
të qeshur si lumi
e të trembur si sytë e kalit në greminë

e do sy kanë lotuar
tërë natën e lume si shelgu vajtues
për takimin e premtuar me frikë

kam përkëdhelur vetëm flokët tua
të prera shkurtë e herë të gjata ujëvarë
të krehura bukur e të shprishura furtunë

e dikush me gishtërinjtë e dridhur
i ka nxjerrë flokët nga mërzia
për një trokitje të beftë
në derën gjysmë çelë

t´i kam ledhatuar vetëm gjinjtë e tu
të fortë e të çuar peshë
e herë të urtë si qengja të fjetur

e gjinjtë e saj tërë natën janë dridhur
si valët e vlimit
dhe kanë pritur gishtërinjtë e mi
t´ua heqin këmishën e djegur

kështu vetëm ty
të kam dashur e dashur
unë engjëlli yt i nëmur

*Nga libri “Oazë palmash të djegura “

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com