Dallgë ndjenjash – Kasam Shaqirvela
Poezi nga Kasam ShAQIRVELA
Dallgë ndjenjash
Palosen si palë flamuri
ndjenja të dallgëzuara
dhe vijnë si bibliotekë
fjalësh të pathëna
me ngjyrë gjaku e dheu
përtej ndrydhje mendimesh
e qepje gjuhësh fjalëshumë
nga fakirë punëlumë…
shkurtohen shtate mëmëdheu
seç bulojnë kërkesat
ndër fate të prera
arnuar për uni
me fije shprese… a
brigjet e shpirtit të vrarë
ç’i rrahin baticat
e një zemre të çarë
në pritje kohësh,
dhe detit të përjetimeve
një barkë dëshirash
përkundet ndër valë
të kujtimeve…
të një moti të athët
nga kohë e shkuar
herë në dallgë gëzimesh,
herë në dallgë zemërimesh,
në këtë dallgëzim jete
më shumë për të tjerët
dhe më pakë për vete,
vetja del fort e trazuar
në pritje agimesh…!