Të pres porsi lulet , vesën në mëngjes – Rrahim Billa
Të pres porsi lulet , vesën në mëngjes
Ka kohë as në ëndërr s’të kam parë!
As nuk e di përse je inatosur…
Një perde errësire , na mban të ndarë.
Trishtimin në shpirt , kam të vulosur.
Kaq shpejt harrove , fjalët që ke thënë:
– As vdekja nuk mundet të na ndajë.
Ti ike… mua në harresë më ke lënë!
Gjurmët humbur….nëpër mjegullnajë.
Unë si i çmendur , çdo ditë të kërkoj.
Por perden e errësirës s’e kaloj dot.
Pa ty drenusha ime , nuk dua të jetoj.
Një ditë të vetme , nuk rri pa derdhur lot.
Pse o yll i dritës , më preve në besë?…
Më le në mes të rrugës , në errësirë!
Shkëlqimi i dritës , nuk tretet si vesë.
Siç u trete ti , në atë mugëtirë.
Të shoh në ëndërr , shpirtit m’i jep dritë…
Prej dritës hyjnore , që kurrë nuk vdes.
Ti mos i përfill , asnjë pëngesë e pritë.
Të pres porsi lulet , vesën në mëngjes…
22 Gusht 2020
Rrahim Billa / Albania
(Të gjitha të drejtat e autorit
janë të rezervuara)