August 9, 2024

Urë e vjetër e pashait – Kujtim Hajdari

Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

Urë e vjetër e pashait

N’anë fshatit, nën një rrap,
Nusëron ura e lashtë,
Pret pashanë të kthehet prapë,
Pret të dalë nga varri jashtë.

Përmbi urë rrihte trokun,
Dhe turfullonte kali krifën,
Thonë pashai s’e kishte shokun,
Ku kalonte fuste frikën.

Dhe mbi urën e pashait,
Një fshatar s’e hodhi hapin,
Ishte pjesa e sarajit,
Me pashanë sherrin s’e kapin.

Dhe kur ngrinte kristale ftohti,
Mbushte përroin dhe rrebeshi,
Mbi urë kalonte veç i zoti,
Fshati gjithmonë këmbët përveshi.

Si një plagë e një mynxyrë,
Shihnin urën gjithmonë shtrëmbër,
Si diçka për ta pështyrë,
Si një plagë që vret në zemër.

Pas në vite u ndërtua,
Një tjetër urë e fortë, beton,
Urë e pashës s’u rrëzua,
Por mbi të asnjë nuk shkon.

Tash me myshqe mbytur keq,
Ura pret e rri e trembur,
Ç’është ky fat kaq i keq,
Erdhi koha për t’u shembur?

Një tjetër pashë nuk doli më,
Që kur sarajet i liruan,
Por urë e pashës, urë me zë,
Emrin e keq akoma ruan.
Kujtim Hajdari

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com