August 6, 2024

Çudi e çuditshme – Seti Pezaku Vladi

Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

Çudi e çuditshme

Të vetmit jemi
pa një mallkim nga përtej sinoreve,
qoftë edhe për një lulefushe të këputur.
Të vetmit me një shpirt emblemë buzëqeshjeje,
të vetmit që japim dhe atë që s’e kemi.

Çudi e çuditshme,
të vetmit kemi mbetur në gjumin e thellë…!

Vijnë dhe ikin rrokadat,
aty ku na lënë, aty na gjejnë:
Dimra të ngrirë,
fate të thërmuara
ronitur furtunash.

Hija e varfërisë na tërheq zvarrë,
na bëhet këmishë e trupit veshur,
plagë baladash
shpuar zemër e kockë,
venat e gjakut
përrenj psherëtimash.

Miliona rrahje zemrash pulson ky vend
i bukur dhe i pasur
sa habia thyen gardh e piramida!
Qielli flen mbi sup të malit,
mali në sup të fushës,
fusha në sup të detit.
Rruga flet shqip,
mali oshtin shqip,
pylli fëshfërin shqip.
Një ëndërr në zhgjëndër
dhe ne,
ah ne,
frymëmarrja e kësaj ëndrre
mbetur hija e skamjes këmishë veshur!
Hamë atë që s’hahet,
pimë atë që s’pihet,
vishemi me markën “gab” internacional.

Kështu ecëm,
kështu po ecim
me skamjen këmishë veshur,
me erozionin duke ngrënë vetveten
si lejlekë memecë lagunave.

@seti pezaku vladi
11/09/2021

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com