August 3, 2024

Juve edhe të vdekur, zemra ju këndon! – Kujtim Hajdari

Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

Juve edhe të vdekur, zemra ju këndon !
(Dy miqve valltarë)

Vitet fluturuan e më nuk u panë,
Ishin si dy vëllezër në valle e këngë,
Kur mori lajmin se ka shkuar matanë,
U nis vrap te varri me të madhen brengë

Çohu, more Dane, t’ja marrim njëherë,
I fërkoi foton me dorën që dhëmb,
Dukej do ta çonte vërtet si atëherë,
Kur vallen e hiqnin të dy këmbë mbi këmbë.

Çohu, more Dane, se është mbledhur fshati,
T’na spërkatin vallen me gota rakie,
Kanë dalur dhe pëllumbat jashtë nga hajati,
Të të sjellin lule mbi tënden takie.

Oshëtinte vendi, varret mbanin vesh,
Malli dridhte ajrin, dhimbja plaste gurin,
Këto fjalë zemre sa shumë kishin peshë,
Dukej se do hapnin, do çanin dhe murin.

Çohu, more Dane, pse më rri këtu,
Është sofra e shtruar në konakun tënd,
Kam ardhur të të marr, mos më shih ashtu,
Dikur kemi lënë përgjysëm një këngë.

Thonë se u hap varri, Dania filloi këngën,
Sa tundet kodra e lugina poshtë jehon,
Fshati për shumë vite u thuri legjendën,
Juve, bijë, dhe të vdekur, zemra ju këndon.

Kujtim Hajdari

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com