Dita e fundit me nënën – Martin Çuni
Martin Çuni
Dita e fundit me nënën
(Përcjellja në banesën e fundit)
Nënë, po të shoqëroj
Deri në vendlindjen tënde.
Askënd nuk e lejoj kësaj here
Të jetë më afër, pranë teje se unë.
Ke vuajtur shumë për mua nanoke,
Dhe kurrë s`u lakove as nuk u lodhe!
Kurrë nuk bëre if as of, hasjane,
Ballëhapur e stoike para furtunave.
Ballit rrudha që nuk u shpaluan kurrë!
Sa vuajte përjetove, për djalin
Si shumë nëna tona shqiptare;
Nga Adami shqiptar e këndej!
Dyerve të burgjeve,
Dyerve të zyrtarëve,
“Tanë” dhe të huaj;
Nëntë vite prite me durim!
Gjakove rrugëve e koridoreve të burgjeve:
Të Prishtinës, të Prokupjes e të Nishit!
Hej, nëntë vjet me trastë në shpinë!
E rrugëve të Prishtinës
Pas nipit e pas mbesës
E te këmba e nuses të djalit të vetëm.
E more edhe rrugën bjeshkëve të lirisë
Të zemrës së Kosovës – Ndrenikës-Drenicës,
Të vizitosh bijtë tu e tët bir ushtarë,
E u qëndrove te këmba Agronit e Teutës,
Kalvarit të shqiptarëve Prishtinë – Maqedoni!
Kësaj here, unë po të qëndroj pranë
Në rrugën tënde të fundit për vendlindje,
Të pushosh e qetë, në Ujzin e Hasit tonë.
Dielli do ta puthë atë copë toke
Ku do pushosh ti Nënaloke!
Dita e fundit në këtë botë,
Dita e fundit e nata e varrit
Në tokën tonë të të parit.
Të djegur , të përvëluar
Nga vandalët e kanibalët!
Nga tumula e fundit
Eshtërat i luajtën nga varri
Të ilirit të bardhë disamijëvjeçarë!
Nënë, të erdhën edhe shumë miqë
Shumë djem e vajza si tutë!
Shumë të afërm të gjakut e të gjenit.
Miqë vëllezër e motra
Nga Shkupi e këndej,
Nga Malësia e këndej,
Nga Presheva e këndej,
Shqipëri e diasporë.
Nënë lamtumirë të them
Vafsha rrugës tënde,
Me përcjellje madhështore si Ti!
E çfarë të tha biri i Drenicës,
Gjeneral Shaban Shala, këtë ditë?
“Kjo nuk është vetëm nënë e Martinit,
Kjo është nënë e të gjithë shokëve tanë,
Kjo është Nënëmadhe shqiptare”!
Nënë thoshe: “rrugët të çojnë gjithkah,
Po edhe rrugët janë gjithëfare!
Po hype në krahë të mizës
Ato të çojnë edhe në turp!
Lum ai që e merr të drejtën
Kurrë nuk do të humbet”!
*************
(Rrugë Prishtinë – Ujzi i Hasit, 04 tetor 2011, – në automorg.)
Publikohet në shenjë kujtimi të 10 vjetorit të vdekjes së nënës time.