August 7, 2024

Vargje elegji për motrën që humba – Nezi Plaku-Velaj

Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

Vargje elegji për motrën që humba

Në sytë e shpirtit thellë, ta ndjeva dhimbjen,
Me kujdes vrojtoja çdo hollësi dhe ndryshim,
Sikur po studjoja heshtjen tënde brënda heshtjes time,
Nuk e duroja dot dhimbjen, kur ti venisje në përhumbje sytë.

Eh, valet e shpirtit tend gulçonin në heshtjen e trishtuar,
Kisha kohë që shikoja këtë heshtje që flet aq shumë,
I njihja, i nuhasja më së miri dallgët e shpirtit të trazuar,
Në përhumbjen e pavetdijshme dallova thellësinë e mendimit tënd.

Në rrudhat e thella i numërova vitet, vuajtjet, brengat e dhimbjes,
Shijova aromën e fjalës që me vështirësi nga buza e nxirrje,
Thellohesha në misterin dhe gjurmët e të së kaluarës,
Përjetova zjarrin e dashurisë, që na dhurove gjithë jetën pa kursyer.

Ballin e kishe si hije dhe shikimin si rreze dielli,
Zëmra ishte bërë akull, asnjë pipëtime nga shpirti nuk nxirrje,
Heshtja më e errët se nata ishte, një “Ah” nga dhimbja shfrehu,
Në etjen e shpirtit, mallin kishim përqafuar, donim të na ngrohte një rreze djelli.

Etjen dhe dashurinë, dhimbjen e lotit që nën qepallë ruaje fshehur,
Eh, sa e sa të fshehta të tjera ruaje, që nuk doje t’i thoje,
Të të shtrëngoja në kraharor, bashkë me fjalët që bëlbëzoje nga goja,
Qetësinë e një kopshti të gjelbëruar, sa doja të ta dhuroja.

Flokët e shprishur dukeshin sikur mëndja po luftonte me furtunat,
Sytë gjysëm të mbyllur, shikonin me vërejtje here pas here në pëhumbje,
Në hijen e natës me hënë imazhin tënd përfytyroja,
Në pasqyrë, si mbi dërrasë të zezë, portretin tend vizatova.

Si një njeri që kërkon me dëshirë drejt qiellit shpirti i saj të lartohet,
Me mallëngjim t’ja lërë lamtumirën kësaj toke dhe njerzve,
Në valën e kujtesës sa gjëra të ruajtura kishe, por vetëm mesazhe përcolle,
Të rrethoheshe nga dashuritë e tua shikoje, ato që nga barku polle.

Në ishullin e trazuar të mendimit radhitemi neve të parët,
Koha me hapin e kaliti kalëroi pengesat e vështira,
Zhytur në botën e përtejme, zgjon nga ëndrra misterin e kujtimit,
Nuk është e lehtë t’ju japësh lamtumirë, të dashurve dhe me dëshirë të largohesh.

Por ti po largohesh nga jeta, neve na le dhimbjen, pikëllimin,
Shpirti yt i bukur fluturoi në qiellin e pastër të Parajsës pa re,
Shtrëngoj e sforcuar lotin nën qepallë, që mos të më rrjedhi nga syri,
Po a mund ta ruash të krypëzuar këtë pike loti të këasj dhimbje të madhe?
Që si lumë rrjedh bashkë me ngashërimet, që e mbushin plot oqeanin.

Nezi Plaku Velaj
Tiranë 18. 11. 2021

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com