Ejani dallëndyshe – Seti Pezaku Vladi
Ejani dallëndyshe
Më solli vala e kujtesës
melodinë e sagës së thinjur
të një lëndine loti,
karvan i heshtur psherëtimash
në duel me kohërat.
Gur mbi gur eci ky karvan psherëtimash…
Dimrat kallkan
tjerrin litarin e dhembjes.
Çdo portë u bë një lëndinë loti
copëtuar në zgjatime meridianësh.
Në telat telefonikë
nuk këndojnë më vargje dallëndyshesh,
ikën ato në dallgëzime erërash
netëve të lyera me mallëngjim hëne
drejt një fati
ndjekur nga një diell ajsberg i ftohtë
fshehur prapa qiellit të reve.
Ejani dallëndyshe,
ju pret qielli juaj
bekuar me firmë perëndie,
ju presin foletë sylotuar,
ju pret krahë hapur
“Filip Shiroka”
djegur nga malli!
@seti pezaku vladi
19/01/2022