Apokalips ushqimor – Muça Vladimir
Apokalips ushqimor
M’u sos durimi,
Toleranca
S’është e pafundme.
Më mbyti morali i ekonomisë së tregut
Me ec e jaket pambarimisht.
S’i honeps koketat me gjinj silikoni,
Siç nuk shijoj ushqim bio,
Apo okazionet e skontove pambarimisht.
Më trishton mendimi: Ekonomi konsumi
Me fraza bajate njëkohësisht;
Nuk ndaj dot fisnikërinë e një murgu
Nga fisnikëria e një pape, sigurisht.
Më pështjellohet çdo gjë mirëfilli
Përtej çdo gjëje elementare,
Dhe fjala e urtë në grahma ungjilli
Humbi çuditërisht kësaj ane.
Se Zoti nga balta e bëri
Çdo gjë të mirë me dlirësi;
Ndaj çdo gjë jasht natyre
Vjen erë ndyrësi.
LIDERI
Ti je qendra.
Nga të gjitha anët
Tërheq më shumë.
Periferitë shuajnë etjen
Në gota magnetike pijesh.
Një këshillë dëgjo!
Në përgjumje i dehuri,
Si në pezull të një reje
Lëshon shiun e ngarkuar
Nën shamatanë
E një rrufeje.
DASHURI E VËRTETË
Më dashurove nga pak
E më fale ate
Që në dukje ke.
Por kur arrite
Të gërryesh veteveten
Më dhe dashurinë e vërtetë.
NOSTALGJI EROTIKE
Tek rrija rrëzë plepit të egër
Me ujët lot duke u larë;
Përkëdhelinë tënde të parë
Nuk desha shiu të ma marrë.