Oaz në lulëzim – Rrahim Billa
Oaz në lulëzim
Kënga e poetit , vjen si një fllad pranvere
Të shëmtuarën e godet , si më e egra stuhi
Godet si me shpatë…me një lule manaferre
Pa mëshirë…çdo ves të keq e padrejtësi.
Ashtu pa e kuptuar , në shpirt të depërton
Ngre folenë e s’largohet më … asnjëherë.
Ëndrrat më të bukura për jetën , të zgjon
Oaz gjithnjë në lulëzim , si një pranverë.
Përtej horizontit shikon…poeti i vërtetë
Vargun stolis , me fjalë që nuk janë thënë
Në vargjet e këngës , ka gjallëri dhe jetë
Fjalët zgjedh , i vendos aty ku duhen vënë.
Kënga e poetit është ilaç , plagë shëron
Në një shoqëri , ku padrejtësi bëhen plot
Vuajtjet shpirtërore e lodhjen , lehtëson
Të bën dhe me flatra , apo ndoshta të përlot.
Më thoni një vend , ku poeti nuk ka shkelur!
Me imagjinatën e tij , nëpër hapsirë lundron
Shkëlqimin e yjeve , brenda vargut…derdhur.
Kënga e tij kurrë nuk vdes…në shekuj jeton.
02 / 11 / 2021
Rrahim Billa / Albania
(Të gjitha të drejtat e autorit janë të rezervuara)