Dashuri në lotë – Zoica Gjolla Popi
Poezi
Zoica Gjolla Popi
Albania
England
Dashuri në lotë
Nëpër tinguj shpirti mbeti kujtimi
si peng i mos harresës,
aq sa vështrimi mori nuanca perëndimi,
për të çkyçur heshtjen brënda dhimbjes së pendesës.
Po a ka mrekulli pa dhimbje?
Cili bir a bijë njeriu
ra në dashuri e nuk bëri gati lotët?
Në buzëvishnje të sapoputhura,
qerpikët në mbyllje qepallash
bashkohen në ëmbëlmjaltën,
mbledhur në dendësinë e aromëshijes.
Meditimi thirri Yjet
më të afërt të Hënës së plotë
kërkoja Venusin ,si atë natë që e pagëzova me emrin tënd
sa shumë yje paska sonte
si ate mbrëmje.
Të kujtohen xixëllonjat
në rrugicën e errët
e unë të tregoja hareshëm se i ndiqja e lozja me to?
po lulet e Majit që kundërmonin
gardheve duke shëtitur të dy përdore si vajzë e vogël të pyesja:
Mos ditën xixëllonjat fshihen nëpër to?
Ku të fshihesha unë këtë natë?tingujt e një tangoje të ëmbël ,përkëdhelnin dhëndërrinë tënde
e shpërndaheshin pa më pyetur,
pa trokitur në dritaren
gjysëm të hapur
në xhamin,që dyfishonte Hënën e plotë.
Përse ato tinguj sa të ëmbël,
po aq të pamëshirshëm
krijuan këngën e dhimbsurise
për vetveten?
përse të huaj në vallëzimin tonë të dëshiruar?
Si s’mundëm ta vallëzonim bashkë në një ritëm?
të ndjeja mbi supet e zbuluara në finësen e fustanit e vellos së bardhë?
prekjen e mollëzave të gishtërinjve
të ma përserisje dy here
je engjëlli im….. si shpirt të kam
ashtu siç më pëlqente mua?
Perdet po aq të holla e te bardha tundeshin
në fllad nate,
eh…ënderra në dënesë
dënesë në ngashërim,
për të tërhequr në kurthin e vetmisë.
Sa do doja,të isha e shurdhër
këtë nate
e verbër brënda vehtes
pa gjumë ti,
pa gjumë unë,
Yjet sikur loznin e qeshnin me mua
por a mund të qeshja
me shpirtin në të qarë?
Më thuaj të vërtetën
a u ndjeve një moment si unë?
Yjet dëshmitarë dridhen lart
dhe jemi aq larg
mos vallëzove me përfytyrimin tim?
Imagjinata e gjorë,
ninullën e gjumit,
si qumështin e gjirit thirri..
për të përkundur një shpirt,
për të shkrirë në ëndërr
mbi qerpikët,lotin e ngrirë.