Ah, sikur – Seti Pezaku Vladi
AH, SIKUR
E pashë rrezen e dritës
kur u shkëput nga syri i diellit dhe ra
në prehër të durimit të tokës sime.
E pashë kur gjithëçkaja u argjendua
nga lulja tek shpirti,
mori formë e mori jetë.
Thau plagë baladash,
dogji shaminë e lotit,
shkuli gozhdën e skamjes dhe,
e nguli relike në muze.
Kamja hodhi rrënjë e çeli gonxhe,
urrejtja u bë dashuri,
dashuria u rrit kala.
Muzgu klithmoi shkrepave të qiellit.
Nisëm të jetojmë me këngën,
me të bukurën ndjesi të biografisë sonë.
E pashë
shigjetën e busullës që ndaloi atje
ku fakon perëndimi.
Brohoriti gruri,
vala,
blerimi!
U ndez fosfor dhe heshtja nën selvi!
Brohorita edhe unë:
Lavdi, o Zot!
Me flatra ere
desha të ngjitem në kalanë e gëzimit,
të ndez pishtarin e ligjëratës sime…
Një zile telefoni gjumin më zgjoi.
Paskam qenë në ëndërr!
Aaah, sikur…!
@seti pezaku vladi
26/01/2022