Macja dhe tigrat – Ylli Meçe
Macja dhe tigrat
( fabul )
—–
Dikur paskish qenë një mace e bukur e bukur shumë
Nazemadhja e llastuar, ishte çuar herët që pa gdhirë
Natën e shtyu duke ecur nëpër dhomë e s’vuri gjumë
Kur i thanë, se me tigrat ish e një rrace e dilte kushërirë
——-
Pa pritur u kujtua, teksa mendonte të sajën origjinë
Tashmë kish me se krenohej e s’donte t’ja dinte fare
U nis për nga tigrat, gojarisht tu tregonte biografinë
Punë e madhe në ikte një ditë e minjtë do hidhnin valle!
—–
Kur behu para tyre, tigrat të gjithë në këmbë u çuan
Nga habia shikonin njëri-tjetrin e nuk besonin kurrë
Disa prejt tyre syresh, sytë shqyen e me putër i fërkuan
Fare hapur dikush po i tallte, si një tigër, veç në miniaturë
—–
Dëgjoni – u tha macja – ta dini se me ju jam kushëri
Le ta marrin vesh gjitha kafshët, kudo anë e mbanë
Si fis, vëllezër e motra, tani le ta bëjmë një fotografi
Me kët’ unitet e forcë që kemi, s’pyesim as për luanë !
—–
Dhe u grumbulluan të gjithë sëbashku, para aparatit
Kur nga kopeja një tigër papritur i’a thotë me shpoti
Mund të ndodhë, që të dègjojmë dhe talljet e fshatit
Sa shumë qenkan shtuar macet… ndaj s’kemi asnjë mi ?!..
——
Pa mendoni mesazhin që do të lerë kjo foto te armiqtë
Ju betohem, këtë do ta shohë i gjithë pylli, skaj më skaj
Është turp i madh, që nga ne të tremben vetëm minjtë
Me famën tonë, macja nuk mund të rritë kurrë vlerat e saj !