A thua do të zgjoj Perëndinë?! – Rajmonda Qose Shkopi
A thua do të zgjoj Perëndinë?!
Muzgu bie qetësisht mbi degët e pemëve
Pemët lakojnë supet e brishta
Vjeshta ka filluar të trishtojë.
Si nje Ofeli mbytet e purpurta diellore
Dhe era vjen e shkon me zbrazëtinë si hojë.
Nata shtyn dritën, është me ngut,nxiton
E Universin kërkon të pushtojë në kohë të saj,
si një mbretëreshë e kthjellët, e paepur
në mbretërinë e yjeve margaritarë.
Në ajër mbytet lagësht një klithmë,
Gjumi s’po më gjunjëzohet, s’po mund të fle
Kam një shqetësim për gjithçka
Kam një sëmbitje të thellë, të thellë.
Pemët lakojnë supet e brishta
Sonte kam folur shumë fjalë
Pendimi im dend rrjetën e shiut
Pres të feksi hëna dhe sërish dëgjoj klithjen e marrë.
A thua do të zgjoj Perëndinë
ndërsa psherëtimat e mia gulçojnë?!
A thua për një njeri si unë,
do ish më mirë të qetësohem sesa
të mendoj?
Shkëputur nga libri”Mos u dorëzo!”
Rajmonda Qose