Djegia e librave – Ylli Meçe
DJEGIA E LIBRAVE
——
Atë ditë më morën zvarrë,
zvarrë nga mezi i natës
Kohë e keqe pa dritë,
ose me pak dritë klandestine
Ata të dehur nga helmi i hidhët,
pra vet kafkë thyesit
Mbi librat e dijes ngritën gotat
për dollinë e vdekjes time
—-
Ashtu gjithë jargë përlyer
e me sytë krejt të përgjakur
Nxorrën të vjellat e gëlltitjet
e bashkë me to, vrerin jeshil
Librat prej inati,
m’i hodhën mbi stivën e druve përflakur
Drejt qiellit ulërinin:
Mallkim o zot i madh, mallkim !
—–
Flakët e ndezura, por dhe të marra,
u nisën për nga qiejt
Dhe Hëna si e çmendur,
këmbëzbathur yjet lajmëroi
Diku, në një kënd toke,
paskish parë njerz pa ëndërra
Ose, ata ndofta ishin njerz,
me ëndërra të një tjetër lloji
—–
Librat barbarisht m’i dogjën,
por u çudita me “Historinë”
Disa herë në zjarr e hodhën,
madje dhe e shqyen fletë fletë
Mizorët rrëmbyen dhe një plak,
që tundët kokën duke thënë:
Mund të digjni librat, por dijeni,
me historinë nuk e kini dhe aq lehtë !