August 6, 2024

Me ditarin – Seti Pezaku Vladi

Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

ME DITARIN

Me ty,
Ditari im,
U ndjeva sirenë këtë muaj pushimesh.
Piva shkumën e dallgëve,
Ndala kohën,
Bashkova zërin tim me këngën e sirenave,
Loza me to vallen që i dashuri im ua kish mësuar.

Pishat derdhin afshe cicërimash,
Rrahjet pushtonin zemrën.

Isha bisk mugullimi
Kur nisa udhëtimin me ty.
Unë,
veshur me jakafluture të bardha,
Ti,
me shkulme fjongosh blu.
Fantazia me një shportë dëshirash vraponte,
Ëndrrat kruspulloheshin,
Këngë të pakënduara këndoja nën zë,
Sikur çmontonin
Sfinksin e mundimshëm brenda meje.
Në besën tënde derdha shpirtin,
Vara ëndrrën e vellos së bardhë.

Darkoja me muzat,
Fjalët i laja me vesën e netëve.
Ndonjëherë,
Nëpër skuta fletësh
Fshihja çelësin e ndonjë vargu,
Dëshmitar i zemrës sime të zhveshur.
Çdo varg e fjalë gravur mbi ty
Drithërimë mëndafshi.
Ne u futëm në lëkurën e njëri-tjetrit,
Me ty hapa dritaret e vargjeve.
Na digjte dielli rrugëve,
Na lagte shiu i vjeshtave,
Me shallin tim të bardhë të mbuloja.

…Lajmet sillnin erë perëndimesh…
Ditët shtrydhnin barkun e resë me shi.

Në velin tënd të bardhë
Shkrova stenogramën e zërit të lirë,
Pikturova agimet e reja ngjyrë alle,
Diellin që më shkelte syrin
Në një cep qielli,
Hënën zbritur mbi qerpik të valës
Ku përkundeshin psherëtima dashurish’.

Këtë farfurimë ngjyrash
E mbolla epilog në faqen tënde të fundit,
Bashkudhëtari im,
Kodi i një blane të bardhë
Dalë nga brinja e majtë.

@seti pezaku vladi

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com