August 3, 2024

Ura e Kularit – Petro L. Sotta

Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

URA E KULARIT

Peshën e viteve, ka mbajtur mbi supe,
Dhe peshën e dhimbjes të fshatit Kular,
Qerre të ngarkuara e traktora me plugje,
Zhurmën e zixhirëve, kur shkonin zvarrë,

Një fshat i vogël, nga të tjerët i ndarë,
Buzë pyllit me pisha e Shkumbinin pranë,
Kur kënetën e Tërbufit, filluan për ta tharë,
U bë kanal i madh e fshati u la mënjanë.

Shumë vjetë kaluan, një urë pa u bërë,
Dhe në dimër fshati, qëndronte i bllokuar,
Se kanali gjarpëronte, si një lumë i gjërë,
Dhe vetëm një varkë, ishte për të kaluar.

Në një anë kanali dhe lumi për matanë,
Në perëndim, një pyll i gjërë dhe i gjatë,
Si në Amazon, ky vënd i bukur më ngjan,
E rruga me pluhur, gjarpëronte në fshat.

Kalonte ajo rrugë, në çdo portë e shtëpi,
Por në dimër, ishte vështirë për t’u kaluar,
Ishte gjithë baltë, kalonin qerre e bagëti,
Fshatarët të qetë, kështu qenë mësuar.

Kur e bë kjo urë, si të ishte kryevepër,
Sikur dolën në dritë, nga një errësirë,
Se qe e domosdoshme një urë patjetër,
S’prisnin më varkaxhiun, por ishin të lirë.

S’qe ” Urë e psherëtimave ” si në roman,
As si ” Ura me tre harqe,” e Kadaresë,
Qe një urë e thjesht, që të nxirrte matanë,
Por as si ajo e këngës, tek” Ura e qabesë”.

Ura pa gjithçka e shpërnguljen në masë,
Kur qerret kalonin dhe tërhiqeshin zvarrë,
Fshatarët më fëmijët që i ndiqnin nga pas,
Me kokën të përkulur, e gratë duke qarë.

Ikën që të gjithë dhe shtëpitë aty i lanë,
Por mbeten kujtimet, për t’mos u harruar
Se atë vit që ikën, më shumë shira ranë,
Dhe Shkumbini dilte, nga shtrati i tërbuar

Nuk u kthyen më, lanë fshatin të shkretë,
Plaçkat që kishin, nëpër qerre i ngarkuan,
Ndërsa tokat djerra, mbetën për disa vjet,
Derisa një ditë, me Shkumbinin u pajtuan.

E ura do të mbetet, si diçka e paharruar,
Një dëshirë e vjetër, ëndërr e fshatarit,
Ndërsa tani, si pikë takimi, për t’u takuar,
-Më prit edhe mua, tek ura e KULARIT. !

Petro Sota 8 korrik 2022

Sofra e poezise shqiptare eshte vendi ku te gjithe poetet shqiptare mund te grumbullojne krijimtarine e tyre te perzgjedhur. Ne kete sofer te poezise do gjeni : poezi shqiptare, poezi per nenen, poezi per atdheun, poezi per dashurine, poezi per heronjte, poezi per deshmoret. Do gjeni krijimet me te bukura te gjithe krijuesve shqiptare te renditura dhe te sistemuara nen emrin e cdo poeti. Petro Sota

Laberia News

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com