Ëndrrat u lodhën me mua – Myrteza Mara
ËNDRRAT U LODHËN ME MUA
S’mbaj inat, nëse zemrën e asaj
e hapi një zemër tjetër,
as ngushëllohem “ky ishte fat!”,
sipas fabulës së dhelprës.
E binda veten se nuk isha Ai,
që të bëhesha varkë mbi det,
edhe ajo s’u bë dot Perëndi,
ndaj harroi të kthehej në breg.
Ajo lakmonte vetëm pranverën,
unë isha i ngarkuar me vjeshtë,
Ajo i kthente shpinën erës,
por unë erën e kam shpresë.
Tani jemi si dy të huaj,
nëpër skajet e një dimri
Nuk kam të drejtë ta kërkoj,
në udhën e vërbër të harrimit.
Do iki larg, larg prej këtej,
në gjurmët e një ëndrre,
ndoshta atje takoj dy diej
në shtratin e ngrohtë të këngëve.
Nuk pres të më thërrasin në emër,
ëndrrat u lodhën me mua,
Në dorë do kem fenerin e zemrës,
gjysmë i verbuar.
Dhe do të iki, vetëm të iki
nën çatinë e yjeve të qiellit
si vitet e mia dhe ata fiken
ç’ka se rindizen nga drita e diellit!
Nuk dua të më mbijnë yje në sy,
u verbova i tëri verbërisht,
sepse ajo s’u bë dot Perëndi
që unë të kryqëzohesha si Krisht.