Nuk e di pse u zgjova i trembur – Bedri Zenel Islami
Nuk e di pse u zgjova i trembur
nga një ëndërr që nuk më kujtohet më…
flej përsëri tek i njëjti vend
në të njëjtën orë,
me dorën e vënë nën faqen e majtë..
më përsëriten të gjitha,
libri i përmbysur mbi pjesën e boshtë të shtratit,
drita e shuar, nata që mbështetet në dritare dhe
iluzioni i qetësisë së saj të kaltërrreme,
epitafet, trupi i lodhur nga bota,
Veç Ëndrrës që nuk më kujtohet më…
Ëndrrat të papërgjegjshme janë, si perënditë…
me joshjen, imazhin çoroditës,
dredhitë,
qilimat fluturues, dashurinë e parë,
tokën e mëngjesit dhe tokën e mbrëmjes,
muzgjet e kopështeve dhe trëndafilët e bardhë…
Shpirti i pavarur nga trupi
luan dhe ëndërron…
jam unë po ëndrra…
Nëse nuk e keni dëgjuar joshjen e Ëndrrës,
atëherë nuk jeni joshur kurrë…
Një ditë…
ndërsa ikim,
Ëndrra ime do të jetë ajo që jam unë.