Nje ditë – Gentjan Hasanas
NJE DITE
Në të 80-at, mësova se ti jeton.
Kështu, prej këtij gëzimi
pleqëria rrotullohej gurë zari mbi tavëll.
Llumi i kafes
binte të flinte në shtratin e vet,
por unë s’jam i qetë.
74, fillova te udhëtoj me taksi
64, gjysmën e rrugës më këmbë
54, m’u kujtua biçikleta,
44, vizatoja hëna të plota,
mësova lagjen dhe banesën ku ti jeton.
Duhet të mos bëj shumë zhurmë
24, të prish martesën time
pa mbërritur sazet dhe dasmorët.
I qetë, kam për të trokitur në derën tënde,
udhëtari, ruan në trastën e vet, një copëz jete
Ne, mund të jetojmë të lumtur!
Të bëjmë dashuri dhe sex
deri sa të bëhemi nga 14 vjeç.
Pastaj, unë do iki të bëj 8-vjeçaren
në fshatin ku kam lerë.
(ti ndoshta në Korçë)
Do gjej dhe mësuesen time të parë.
Për Vitin e Ri,
do ngjisim pambuk pas xhamave dhe bredh jeshil.
Po ti?
Nëna, m’i heq këpucët dhe çorapet,
më ngjit kërthizën dhe pushoj së qari.
Do duhemi
edhe kur të jemi fare të vegjël?!
Sa një pëllëmbë,
Sa një bërthamë kumbulle,
Sa një kokërr gruri,
Sa një grimcë e padukshme,
Mbaj mend, shumë duheshim edhe kur s’ishim.
Gentjan Hasanas