Më i larti plep – Më i miri në fshat – Liri Loshi
Sugjeruar nga Xheva Salihaj
Dr.Liri LOSHI:
MË I LARTI PLEP – MË I MIRI NË FSHAT
Më i larti plep, më i miri në fshat
Të banojnë në të vetëm zogjtë kanë fat.
Ne fëmijët s’arrijmë ta përthekojmë me dorë
mbi të shpesh shkrihet ndonjë meteor…
Kur në maje të tij shoh pëllumbin tim
sytë më shlodhen tek sodis me admirim,
pëllumbi im – sa shpend i bukur
pëllumbi im – sa më bën të lumtur!
Sikur të kishte plepi zemër fëmijërore
do kënaqej në puthje të kaltërisë qiellore…
e damarë gjaku nën lëkurë po të kishte
më i fuqishëm se plepi kush do të ishte?…
Ai që në lartësi luhatet pa drojë
retë si ushtarët në qiell i bëjnë rojë.
Shtatë shtresa të tokës ia shuajnë urinë,
shtatëdhjetë e shtatë zogj ia falin kënaqësinë,
shtatë lloje erërash gjethet ia përkëdhelin
shtatëdhjetë e shtatë rreze n’blerim e mbështjellin.
Kush e di pse plepi qëndron aq krenar
a pse vlerë e tij s’peshohet dot me ar,
a pse shpesh ne fëmijët shpenzojmë kot fuqi
që me guraleca t’ia prekim majat e tij?…
Pse është shumë krenar? Babai le ta thotë
atij shpesh pranë plepit i pikojnë do lotë
për kujtimin e gjallë – të vetmin kujtim
që me duart e veta e mbolli gjyshi im…
Nën hije të plepit mund të pushojë gjithkush
në oborr zemërgjerë ju pret një voglush.