Të dua o jetë! – Manushaqe Hoxha Laçi
Të dua o jetë!
Kur zbret agimi nga maja e malit
qëndisur me lule fustanin e bardhë.
Lehtë hedh hapin si vajza drejt djalit
lozonjare drite, me bukuri të rrallë.
Në syrin e tokës vijnë rrezet e diellit
mbi flokë e supe hidhet velloja e bukur.
Krenare ecën kaltërsia në kupën e qiellit
e lule më lule hap krahët çdo flutur.
Mes ujëvara dritash vallëzon natyra
nata largohet ngadalë me nostalgji.
Mëngjesi na dhuron buqetën me ngjyra
ditën nusërore sjell, për të vjetër e rini.
Ylberet shpalos qielli me duar e sy
Rrezja e jetës refren kënge dhuron.
Lumenj dëshirash zgjojnë ëndrrat aty
gonxhja hap petalet e natyra gjallëron.
Plot hire vjen muzgu e hapin hedh ngadalë
veshur fustan mbrëmjeje, në detaje zbukuruar.
Ledhaton ndjenjen me ëmbëlsi të rrallë
na sjell natēn magjike me trup të parfumuar.
Mbi mantelin e natyrës hëna hedh shikimin
me petale yjesh flokë e supe mbulon.
Nata i shtrin krahët përqafon njerëzimin
heshtja e qetësia butësisht tokën mbulon.
Herë hesht deti, herë dallga nuk bindet
përqafuar me shkëmbin natën e shijon.
Vala përkëdhel bregun që buza i digjet
gjithësia me bukurinë e jetës gëzon.
Qielli e toka gjithmonë do përshëndeten
qoftë dimër, vjeshtë, pranverë e behar.
Në shpirt kemi shpresën e dashurinë për jetën
që refrenin e ditë- natës e ushqen me nektar.
Sot qënkam flugeri që sheh ndërrimin e sitinëve.
Vetëm të më shikoni si më dridhen sy e mollëza.
Si qenka kjo jetë tek të zgjon vrulle rinie
Të bën që nga etja të ndërrosh tjegullat e forta.
Unë jam sot vetë qiell, shtrat, bar dhe lule
Jam shkëmb, det apo dhe gjoks që digjet nga ëndrra.
E dua sot një fustan të bardhë ta vesh në muzgje
Që të më përkëdhelë dora, shpirti-zgalem dhe kënga.