O Lum shpirti – Xheladin Halili
O LUM SHPIRTI
Të flet edhe kur e harrojmë.
Edhe kur jemi të përhumbur në kotësirat e jetës.
Bëhet gati të dalë e të marrë udhë,
Unë dhe ti thua se e ndalojmë?!
Jo!
S’e ndalim dot, sepse ka dëlirësinë hyjnore!
Nuk lëshon zë,
Po as s’mund t’i njohësh notat e tij,
Ato nuk janë të zakonshme.
Ai ngjitet në qiell vetë.
Tingujt e tij s’mund t’i shndërrosh në vargje e melodi,
Ai është përtej përfytyrimeve tona.
Atë e dëgjon dikush tjetër,
Zotëruesi i tij!
Në çdo çast pret të rikthehet,
Të rigjejë çastin e parë,
Aty ku ishte përgjigjur me lumturi:
Po! Të besuam o Zot!
I veshur me petkat e dashurisë hyjnore,
Me dritën e të Përjetshmit!
Të lumët ata që do ta shohin në amshimin e premtuar.
Ah, të lumët ju!
Asaj që synon i përuluri shpirt,
Aty ku mejdan amshimi tubon shpirtbindurit!
Eh, ç’përshkrim lexojmë për ty!
Ç’thirrje të ëmbël do të dëgjosh:
“O ti shpirt i bindur dhe i qetë, kthehu te Zoti yt…”
Ah, të lumët ju o shpirtra të bindur!
Po i ktheheni folesë së dorëzimit.
Eh, kush to t’ju thirr e pranojë,
I Lumi, i Përhershmi!
Ti që s’ke përbërje të zakonshme,
Që s’të përshkruajmë dot!
Sot ke shkëndija mirësie,
Ti i mban ato me vete,
Se i kishe përherë.
T’i s’duhet t’ia ndërrosh kahjen,
Gabove po e trazove.
Nëse jo sot, do të përmbushesh nesër.
Ti, shpirti im!
Ktheju dëlirësisë sate!
Premtove vetë ruajtjen e ndriçimit tënd.
Premtuesi nuk e thyen premtimin!
Le të ecë si lumi e mos të ndalet…
Që vitet e lëna pas të pushojnë së tremburi nga tingujt vrastarë,
Kur ky shpirt i trazuar humbiste rrugën,
Por s’u dorëzua kurrë.
Atyre gjurmëve tua të ndritshme,
Po u falet kënaqësi e përjetshme!
Riktheju dëlirësisë së amshueshme,
O LUM SHPIRTI!
~Xheladin Halili
Viti, më 27.02.2019