Indianka valltare – Delo Isufi
Indianka valltare
Si e hidhte vallen,
Kurrë nuk kam parë,
Indianka syzezë,
Me nishan në ball.
Si i dridhej beli,
I kërcenin gjinjtë,
Në gjoksin e saj,
Tundeshin florijtë.
Sari që kish hedhur,
Mbi trupin e bukur,
Mbi shtatin e derdhur,
Me mes të këputur.
Kur e hidhte vallen,
Në ajër fluturonte,
Këmb’e saj e vogël,
Mbi gishta qëndronte.
Kur ajo kërcente,
Tundte bel e vithe,
Gjinjtë e saj kafe,
Si dy boçe pishe.
Dukej se vallzonte,
Në qiejt, mbi re,
Këmb’e saj e zbathur,
Nuk shkelte mbi dhe.
Indianka e bukur,
Me pikën në ball,
Herë dukej flutur,
Herë dukej ngjalë.
Larë me ujë floriri,
Ngjyra çokollatë,
O Zot sa e bukur,
Bukuria është pak.
Lum kush i ka parë,
Indiankat nga afër,
Pastërtia e shpirtit,
Bëhet më e pastër
Delo Isufi