S’është akoma natë – Zoica Gjolla Popi
S’është akoma natë
Si t’ia bëj
të hesht apo të bërtas?
ku ra fillimi i një fundfjale?
atje…
rrëmbimthi në lëndimin e një shpirti
që s’duhet të thyhet.
Kërkon faljen?
ku ta gjej?
mes rrebeshit në lot shiu?
atje
rrathët formohen
rrathë… brenda rrethit…
figurë gjeometrike që endet
brenda gjykimit në stakimin e trurit.
Si t’ia bëj
qetësi memece
të pëshpëris apo të këlthas?
Jo!
për momentin s’dua të gjykoj
e lëshuar në dridhjen e mos
përqëndrimit.
Këlthitje… ku… ku… ku…
ndalu, moj kukuvajkë
s’është akoma natë
këndon apo vajton?
moj dritëshkurtër
mos e gërryej nga kafshimi
ndjesinë e gjorë!
Kam fuqinë në shtrëngime shpirti
ta afroj qiellin me tokën
ti nuk e di?
shëëët… shëëët!
Mos i zgjo engjëjt…
në ninullë bilbilash lëri të flenë!