Toka ime – Lumni Nimani
Toka ime
E dashur Mëmë-Dhe fole për shqiponja!
Aty hapat e parë në jetë me gëzim i qita…
Dhe të bukurat ninulla nga nëna i dëgjova
Në atë tokë të bekuar ku linda e u rrita.
Bishat na dëbuan, nga vatrat shekullore
Duke bërë shkrumb e hi gjithçka arbërore.
Kur prej teje atëbotë pa dashur u ndava
Lumturi dhe gaz, humbën e u tretën…
Atë rrugë të mallkuar në lot e lava
I përbuzur dhe i mbetur jetim i vetëm:
Si fëmijë i ndarë nga prehëri i nënës,
Si nata e zezë pa shkëlqimin e hënës
Këngë nga Adriatiku e gjerë te Deti Jon
vetëm për ty e dashur përherë këndova-
diellit mëngjesor që me ëndje i rrezaton,
fusha e male të larta që ka Kosova:
E thash moj Shqipëri mos thuaj mbarova
Sot jan me ty Llap, Ulqin, Lugina e Tetova.
Prandaj, ky shpirt imi me mall Shqipërie
Sa të jem në këtë jetë – kurrë s’të harron;
Pena ime gjithmonë me ngjyrë krenarie –
për ty shkruan, e shpirti – fort të përqafon
– Dhe i madhi Zot ; veç për Ty bekon.
e Kombin tim me dashuri e mëkon.
O e shtrenjta Tokë e shenjtë Arbërie!
Mos harro atë që s’të harroi – birin tënd!
Afroje në gji me atë afsh dashurie
Se e ke tepër larg në të huajin vend:
zemra e tij, për ty rrahë e për ty këndon
pa ty s’frymon, ai prore për ty mendon.
Me dashuri të zjarrtë për At’-Dhe Perëndie.
Jepi atij pak qiell, Dhe pak det të pa anë!
se shpirti i tij i zhuritur – do fllad freskie;
se malli për ty, pak – ngapak po e thanë
E kurbeti zemrën – ditë për ditë po i çanë
Por as vdekja – prej teje s’mund ta ndanë.
Lumni Nimani
Dhjetor 2019