O rreze me afsh, o rreze me ngjyrë, o rreze me dritë – Fatmir Gjata
O rreze me afsh, o rreze me ngjyrë, o rreze me dritë
Mbulomë të tërin, me hënën e natës, kur më nuk ka ditë
Ngjizma edhe mishin, me shpirtin bashkuar, të mbetem njeri
I bërë me baltë, me pluhur i bërë , bërë me lumturi
O rreze e ngrohtë, më digj sa të mundesh, do lind dhe njëherë
Do shkoj nëpër botë, e mbase do bëhem, një kalë pa frerë
Fushës do vrapoj, tek burim i fundit, do pi ujë të valë
E në qe i tharë, do ta pres me etje, ashtu dalëngadalë
O rreze e ëmbël, që më vjen nga lart, zoti të pat prurë
Të shkrij kockën time, të shkrij mishin tim, zemrën bërë gurë
Gurë që rrokulliset, e s’dihet ku ndal, në t’u ndaltë pranë
Mere me kujdes, e mbaje në gji, qofsh engjëll a zanë
O rreze magjie, që loz mrekulluar, e zbritur nga lart
Me kurorë lulesh, me kurorë ndjenjash, me kurorë të artë
Thurur me dëshira, me frymë të ndalur, thurur me ofshamë
Qëkur më pushtove, me mallin e syve, qëkurë u pamë
Fatmir R Gjata
