Terri bie – Bes Camaj
TERRI BIE
E bukë s’ka ma n’shpi!
Me ball mrrolun e shtrëngim n’zemër pyet nana,
-Hë biro, a gjetët diçka për sonte?
-Jo nanë jo, nuk mbet për ne!!
Duarthatë u kthyen edhe sonte! S’paskan gjetë asnjë trohë, asnjë kore bukë! Po ma i vogli pisket e s’ndalet,
-Nanë ban diçka me hangër se vdiqa uni!
O Zot thërriste nana, ç’të bëj unë e mjera? Më ndihmo t’i ushqej këta fëmijë, kurrë bukë s’i kam ngi, me zor i kam mbajtë n’gji! O zot o!!!
-Dojmë bukë nanë, piskamat s’ndalen! E çka me ba për darkë e mjera unë?! S’len me marr frymë kjo jetë! Për nanën ma lehtë do t’ishte me vdekë!
Doli n’oborr nana dhe gjeti ca gurë, në dukje si patate. I muar dhe e mbushi kusinë e oxhakut. Shtoi edhe pak ujë e po u thotë fëmijëve,
-Qe nana, i vuna kompirat me u zi! Po e shtoj edhe ni dru e vlon ma shpejt! Vlonte kusia, vlonin fëmija! Vlonte edhe shpija!
Mbas dy orësh, i vogli dhe të tjerët kishin fjetë. Po njëri si përgjumshëm lëshoi edhe një piskamë,
-A u zinë kompirat nanë?
Qe gati nanës, veç edhe pak! Edhe pak!! O mua dheu më mloftë e skamja u shoftë!!!
Në pritje fëmijët u nginë me avull dhe i zuni gjumi n’andrra me patate! N’ferk të ditës, nana u qetësua për pak e shfreu,
-Ah nanë, nana! O zot, pse m’bane?! Pse?
Nesër ditë e re, nafakë e re, përsëriste.
Dhe të nesërmen gjithçka fillonte nga e para!
(…ky shkrim, premtim dhëndrit Jusuf Veseli, që iku sot n’amshim)
(…ndodhi e vërtetë e viteve 60)