Fale gjakun – Kasam Shaqirvela
Nga: Kasam SHAQIRVELA
Poezi kushtuar “Anton Çettës”, apostullit të pajtimit kombëtar
FALE GJAKUN…
(shtoje konakun…
mos e ul n’gjymc-shtize bajrakun
por ngrene nalt flamurin ne t’valoje…
njashtu si shqypja jote e artë kur flutron
gjama e zija ma ktu ne t’pushoje…
kanga e gzimi ndër ne le t’ushtoje)
Ky është zëri i Atdheut tonë
Që i thërret bijtë e vet,
Krushqit e paqes së mëmëdheut
Në misionin e madh mbarëkombëtar
Në aksionin për pajtimin e gjaqeve në
Kosovë e gjithandej ndër shqiptarë,
Atje, n’tonën Dardani, kur flet shpirti
Dhe gëzueshëm hapet zemra…
Mbaron ankthi i zisë por dhe flirti
Nuk ka më të “Akilit thembra”…
Se, fjalë paqeje për falje gjaku…
Urtësisht dalin nga zemra e një plaku.
*
Anton Çeta përshfaqet tokës nënë
Gjiri i së cilës bindshëm e thërret
Ai duket në profilin e tij si një profet
Që n’Vallen e Madhe rri fort i kapur
Bashkë me: Krasniqin, Canën,….
Dhe shumë të tjerë krushq pajtimi
Ata gojëartët, dishepujt e vet…
Që largojnë hijet e çdo trishtimi
E vatrat e mbyllura në hasmëri,
Familjesh të ngujuara për disa vjet
N’gëzim përlotshëm i kanë hapur
Falet gjaku në përqafim vëllazëror
Me njëri-tjetrin dorështrënguar
Oh, ç’më ngroh Dielli im arbëror…!
Me rrezet e arta na ka praruar
Përfundojnë ngujimet familjare
Ndalojnë dhe tyta pushkësh gjakatare
Dhe prej sot janë vënë në dryna
Që t’mos na i marrin më jetët…
Ato grykëholla, tonat martina
Që ua presin shqipeve fletët,
Dhe fluturimin ua lënë në mes
Hakmarrjesh nga brezi në brez
Boll më ne, mendjeturbullt!
Koha është ne të kthjellohemi
Përse u dashka të marrim hak..!
Ditë për ditë shqiptarë më pak,
Përse po vritemi, për kurgjë…?!
T’i themi kësaj të keqe, mjaft më!
Madje edhe po krenohemi..
Që mes vete po pakësohemi!
Kjo gjë neve na sjell dëshprim
Kurse armikut tonë gëzim
S’kemi për të lënë nam sa për t’u zhbë,
Fatzi ore për shterpa të bëma…
Jo mor jo, kështu nuk rritet, dhe
As që shtohet e jona fama!
*
N’fundshekullin e kaluar, atë të njëzetë
Dhe n’fillim të shekullit të njëzetenjëtë
Me shkronja të arta e shkroi historinë
Dhe togfjalëshi, “Falet gjaku”,
Jehoi në mbarë Shqiptarinë…!
Çetës së pajtimtarëve para i printe
Plaku i urtë, si lulja që çel herët…
Atë që shpirti i tij i dëlirë ia donte,
Zemra arbërore e bardhë ia thonte
Por dhe mendja e tij e ndritur e dinte
Se toka etshëm gjakun e pinte…
Duhet ndalur kjo e reshur sa më parë
Që binte mbi troje shqiptare e shqiptarë
Ky stoik, tamam sikurse një atlet
Bashkë me pajtimtarët e tij…
Që n’salvime shpirti dhanë mundin e vet
Nga dashuria të gjallonin edhe të tjerët,
Ata që rronin të huaj në shtëpitë e veta
Ku jetën, atë të shtrenjtën, sublime
Më zi e më kuq sesa të mjerrët…
Ia kishin lënë peng kokave të nxehta
Të xhelatëve të zakonit të keq
Dhe shpatave mizore të mprehta
Farkëtuar nga farkëtarët e huaj
Jo për vete por për të tjerët..!