E shkuara mbetet – Muça Vladimir
E SHKRUARA MBETET
Shkruar mbi plloça balte
Zëra shpirti mes gjetjeve arkeologjike;
Fjalë shkruar shekujve,
Ruajtur nga dheu thellësive.
Fjala jote nipi im,
Shkruar portaleve elektronike,
Për një gabim
Iku në vdekje “klinike”,
Si pjalmi i pishave prej stuhive.
Humbi gjithçka
Siç tretet mbi rërë nga dallga
Një përbetim dashurie.
Shkruaj në trungun e pemës:
Në shumëzim qelizash
Gjithçka ruhet nën lëvore
Si ëndërra, si kujtim
I një ëndërre dashurore.
Shkruaj në lobet e trurit kujtimet
Çdo gjë çika,çika
Në humbje kujtese mbytet.
Në qënie tënde nip
Do humbin ëndërrimet,
Klithma si sfidë e qënies
Do ulërijë në mërmërime.
Nipi im i dashur
Shikomë mua të “prapambeturin”
Akoma shkruaj në letër,
Me plot vetëdije.
Këto letëra do njohë njerëzia
Pas mijëra vitesh;
Shenjat e sinjalëve kibernetike
Do ngrihen mbi hiçin në hapsira kozmike.
E shkruara ime, e natyrëshme,
Shkruar me ofsejtin e shpirtit
Do madhohet,
Kur në portalin tënd
Fjala ka emigruar harrimëve.
MJEGULL NË TIRANË
Shërbimi i dhomës hapi dritaret.
Hordhia mjegull vërshoi bulevardit.
Nukë shoh asgjë,
Bromuri natyrorë ra pingul
Në retinën e ndryshkur.
Mëngjesi me bisturi akulli
Më hoqi kataraktin e cvenitur,
Syri mëndjes me gjilpërat e diellit
Përpiqet të qepë suvanë
E ditëve të ikura.
Trupi i mjegullës
Kacavirrur mbi qeleshet e Kullave Binjake
Mbështjell siluetat njerëzore,
Humnerave të saja degdisur.
MEDITIM NË VETMI
Sytë e mrrolur në amullim,
Vetullat kaçule,si strehë e rrënuar,
Trupi qiri, i zbehtë në flijim
Nën xhaketën e vjetër, cingëruar.
Numëroj ditët larg vendlindjes,
Fëmijërinë dritareve syzgjuar
Në lindjen e mëngjesit qiellstërpikur
Me avullin e bukëvales duke vluar.
Numëroj prapësitë që kam bërë,
Kupën e ujëshiut mbi faqen e dylltë,
Vendlindja më vjen e brishtë pranverë,
Si brymë e cingërt mbi luleqershitë.
Trandem ngahera për doçen e rëndë,
Shenjën e thellë lënë në ballë;
E dua vendlindjen si e kam lënë,
S’ka gjë pse asgjë s’është si më parë.
Nga vëllimi “Zërat e shpirtit”