Nënë – Neki Lulaj
NËNË
Ti mbrëmë ishe të carani i vatrës së zjarrmuar
Duke përkundur ngadalë djepin e vjetër
Nga goja të buronte një ninullë e pambaruar
Dalë si krua gurran nga thellësia e zemrës
Në heshtje vështroje litarin e jetës
të lidhur me njëmijë fije me ditët fluturake
Ti ishe të carani i vatrës si druri i eshkës
Për të arnuar kohë dashurie në vitet vraparake
Ti ishe te carani i vatrës te trarët e nxirë
Aty ku dikur gatoje bukën e misrit në magje
E nën saçin piqej buka me aromën e mirë
E ëmbël si një dardhë a si një mollë kuqalashe
Ti mbrëmë ishe te carani i vatrës e më flisje
Ma tregoje një ëndërr të re në stol pranë trarit
për të na gërvishur e lëmuar në një ndryshk dashurie
se kështu padrejtësisht në mote na ndau fati
Ti mbrëmë ishe të ngrohtësian e carani i vatrës
Për ta rindezur sërish atë zjarrin të ftohtë
E nga ftohtësia të mos na ngrijë shkronja e fjalës
Bashkë t’i thurim afërsisë edhe fatit nëpër botë
Ti ishe mbrëmë te carani i vatrës me fjalën e mirë
E ringritëm çdo gur oxhaku që na dogjën të paemrët
E ne e sfidojmë nga larg në fjalë, në varg në shpirt
Caranin e vjetër e shoh të gurra dhe dashuria e padjegur…
Neki Lulaj